Pse duhet pirë qumësht çdo ditë? Ekspertët tregojnë përfitimet për trupin dhe shëndetin
Qumështi mbetet një nga ushqimet më të rëndësishme për shëndetin e njeriut, falë përmbajtjes së pasur me lëndë ushqyese thelbësore.
Ai është një burim i shkëlqyer kalciumi, fosfori, proteinash dhe vitaminash që ndihmojnë në forcimin e kockave, zhvillimin e muskujve dhe mbështetjen e sistemit imunitar.
Ekspertët theksojnë se përfshirja e qumështit në dietën e përditshme, në sasi të moderuar, është një mënyrë e thjeshtë për të forcuar kockat, përmirësuar shëndetin e muskujve dhe për të mbrojtur organizmin nga sëmundjet kronike. Më poshtë, po ju listojmë 5 arsye se përse qumështi, duhet të jetë pjesë e rutinës suaj.
Ruajtja e dendësisë së kockave
Qumështi luan rol kyç në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e kockave të forta dhe të shëndetshme. Falë kalciumit dhe fosforit që përmban, ai ndihmon në parandalimin e osteoporozës dhe frakturave, duke ruajtur shëndetin e kockave gjatë gjithë jetës.
Nxitja e rritjes së muskujve
Proteinat që përmban qumështi, kazeina dhe hirra, janë të njohura për ndërtimin e masës muskulore dhe reduktimin e yndyrës trupore. Kjo e bën qumështin një zgjedhje të shkëlqyer për atletët dhe personat që ndjekin një stil jetese aktiv.
Burim i pasur vitaminash B
Qumështi përmban sasi të konsiderueshme të vitaminës B12, riboflavinës (B2) dhe niacinës (B3), të cilat luajnë rol të rëndësishëm në shndërrimin e ushqimit në energji. Vitamina B12, veçanërisht, është thelbësore për prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut dhe funksionimin normal të sistemit nervor.
I pasur me vitamina të tjera jetike
Në shumë raste, qumështi fortifikohet me vitamina A dhe D. Këto ndihmojnë për shikim më të mirë, përmirësojnë sistemin imunitar dhe lehtësojnë përthithjen e kalciumit në trup, duke rritur përfitimet që qumështi ofron natyrshëm.
Mbrojtës ndaj sëmundjeve kronike
Një studim i botuar në revistën shkencore “Food and Nutrition Research” (2016) tregoi se konsumimi i rregullt i qumështit dhe produkteve të tij lidhet me një rrezik më të ulët të obezitetit, diabetit të tipit 2, sëmundjeve kardiovaskulare dhe disa llojeve të kancerit, përfshirë atë të zorrës së trashë dhe gjirit.