Shoqata “Industria e Përpunimit të Qumështit” zhvillon takim me Ministrin e Bujqësisë z.Salla për sfidat e sektorit
Përfaqësues të Shoqatës “Industria e Përpunimit të Qumështit” zhvilluan një takim me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, si dhe me zëvendësministrin z. Arian Jaupllari.
Në takim morën pjesë z. Ilir Pilku, drejtor ekzekutiv i Shoqatës, z. Nikolin Jaka nga “Zepa Natyral”, z. Erzen Begaj nga “Erzeni” dhe z. Luis Ndreka nga “Lufra”.
Diskutimet u përqendruan mbi sfidat aktuale me të cilat po përballet sektori, me theks të veçantë tek problematika e aflatoksinës.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e IPQ-së paraqitën një sërë kërkesash dhe propozimesh për mënyrat e mundshme të adresimit të kësaj çështjeje, duke theksuar gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar ngushtë me institucionet përkatëse, në funksion të garantimit të sigurisë së konsumatorit.

Nga ana e tij, ministri Salla shprehu angazhimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për të qenë një partner i hapur dhe bashkëpunues me të gjithë aktorët e sektorit, me synim rritjen e standardeve dhe forcimin e sigurisë ushqimore në vend.
Në kontekstin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, palët u dakordësuan të intensifikojnë bashkëpunimin, në mënyrë që ky rrugëtim të zhvillohet me sa më pak kosto për sektorin e agro-përpunimit, por edhe për sipërmarrjen shqiptare në tërësi.